Qer 3

Letër

z. EDI RAMA

Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë

Z.Kryetar!

Dëshiroj t’Ju shpreh drejtpërsëdrejti disa shqetësime që kam rreth partisë dhe për partinë tonë. Natyrisht, në gjithë gamën e problemeve që ka partia, është e vështirë që të realizohen që të gjitha e me të njëjtën lartësi, prandaj dua të shtroj dy a tri probleme të cilëve mendoj se u ka ardhur koha që të trajtohen, përndryshe do të jetë vonë. Them vonë, sepse kemi hyrë në vitin elektoral dhe po qe se probleme të tillë do të mbeten të errët, do të na mbeten shumë gjëra të tjera po të errëta.

Siç e shikojmë çdo ditë aksioni i madh politik “Dialog me Shqipërinë” po ecën rrëmbyeshëm dhe po zgjon zemrat e njerëzve për një shpresë të re, shpresë se e ardhmja e tyre do të jetë ndryshe. Në këtë aksion, duke shkelur pëllëmbë për pëllëmbë tërë vendin, Ju, po u shpjegoni njerëzve nevojën e një ndryshimi të madh, por edhe po dëgjoni e shënoni hallet e problemet e tyre. Kjo punë e madhe, përveç të tjerash, jo vetëm që po shton radhët e atyre që duan ndryshimin, jo vetëm po shërben për hartimin e një programi qeverisës konkret e të zbatueshëm, por po shërben edhe që, vetë Ju, të njihni dhe t’Ju njohin, si populli ashtu edhe anëtarësia e PS. Sigurisht, pas këtyre fjalëve mund të thoshit: po ç’është nevoja të na i tregosh ti?, dhe nga ana tjetër, përderisa thua se gjithçka po shkon mirë e bukur, çfarë halli ke? ç’të shqetëson? Po ja, mendoj se ka ardhur koha që disa gjëra t’i shikojmë vërtet ndryshe. Këtu e kam fjalën për një kuptim më të thjeshtë e të qartë të të gjithë problemeve që Ju shtroni e që shtrohen para nesh, qoftë edhe gjatë turit ‘Dialog me Shqipërinë’, pasi, më duhet të them se, ka jo pak mugëtirë. ‘Qytetari që kupton’ - po bëhet përherë e më i rrallë - thonë teoricienët e demokracisë, por a nuk duket se edhe anëtari i thjeshtë i partisë nuk është se e ka edhe kaq të lehtë të kuptojë? Bie fjala, si duhet t’i kuptojmë realisht terma të tillë, opozitë ndryshe; politikë e re; ndarje përfundimtare me politikën e vjetër; program, ekip, lider etj, etj, të cilët vërtet tregojnë për një intensitet në rritje të ngjarjeve politike e të aksionit politik të Partisë Socialiste, por nga ana tjetër ato krijojnë edhe një lloj pështjellimi.

edi rama

Ja, ne themi se po bëjmë opozitë ndryshe, por si, në çfarë kuptimi? Nuk e dimë, por ama, për të qenë të drejtë, megjithëse u bënë tre vjet në opozitë, edhe neve vetë nuk na duket se po bëjmë ndonjë lloj opozite të fortë. Ndoshta kjo ndjesi vjen ngaqë opozita jonë ka qenë ndryshe nga ajo e Partisë Demokratike. Këtu duhet të shtojmë se, si komb, nuk është se kemi ndonjë përvojë të madhe demokratike në të bërit opozitë. Prandaj, mendoj se është i nevojshëm një shpjegim, duke mos e lënë anëtarësinë të nxjerrë vetë konkluzione. Nga sqarimi, anëtarësia, jo vetëm që merr më tepër krahë, por ky do ta nxirrte atë edhe nga një lloj sikleti që ka kur i thonë se “ju nuk po bëni opozitë”.

Por më problematik mbetet kuptimi i togfjalëshit ‘politika e re’, që, për hir të së vërtetës, nuk është shpjeguar dhe qartësuar si për popullin ashtu dhe për anëtarësinë. Po ndodh si në atë shprehjen se ‘çështjet shpesh mbështillen në paketa çështjesh që nuk çmbështillen aq lehtë’. Nuk dimë, ‘politika e re’ është si slogan për të marrë pushtetin apo vërtet duam të ndryshojmë këtë realitet të mbrapshtë. Në se nuk është slogan, se për ne “fitorja politike është instrument e jo qëllim”, atëherë ku qëndron e reja e politikës tonë? Me sa kuptoj unë, duke e thjeshtëzuar pak, politika e re, si arti i qeverisjes, mund të përmblidhet në: çfarë duhet të bëjmë gjatë qeverisjes tonë; si do të realizojmë ato që kemi vendosur t’i bëjmë; dhe në fund, kush janë ata që do të bëjnë të mundur realizimin e politikës sonë të re; ose thënë më ndryshe: cilat janë konceptet dhe idetë e reja; cilat metoda, rrugë e mjete të reja do të përdorim për realizimin e politikës së re; dhe ç’është më e rëndësishmja, cilët janë njerëzit që do ta zbatojnë atë. Lexo artikullin »