Ç’po bëjmë?

Letër

z. EDI RAMA

Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë

Z.Kryetar!

Dëshiroj t’Ju shpreh drejtpërsëdrejti disa shqetësime që kam rreth partisë dhe për partinë tonë. Natyrisht, në gjithë gamën e problemeve që ka partia, është e vështirë që të realizohen që të gjitha e me të njëjtën lartësi, prandaj dua të shtroj dy a tri probleme të cilëve mendoj se u ka ardhur koha që të trajtohen, përndryshe do të jetë vonë. Them vonë, sepse kemi hyrë në vitin elektoral dhe po qe se probleme të tillë do të mbeten të errët, do të na mbeten shumë gjëra të tjera po të errëta.

Siç e shikojmë çdo ditë aksioni i madh politik “Dialog me Shqipërinë” po ecën rrëmbyeshëm dhe po zgjon zemrat e njerëzve për një shpresë të re, shpresë se e ardhmja e tyre do të jetë ndryshe. Në këtë aksion, duke shkelur pëllëmbë për pëllëmbë tërë vendin, Ju, po u shpjegoni njerëzve nevojën e një ndryshimi të madh, por edhe po dëgjoni e shënoni hallet e problemet e tyre. Kjo punë e madhe, përveç të tjerash, jo vetëm që po shton radhët e atyre që duan ndryshimin, jo vetëm po shërben për hartimin e një programi qeverisës konkret e të zbatueshëm, por po shërben edhe që, vetë Ju, të njihni dhe t’Ju njohin, si populli ashtu edhe anëtarësia e PS. Sigurisht, pas këtyre fjalëve mund të thoshit: po ç’është nevoja të na i tregosh ti?, dhe nga ana tjetër, përderisa thua se gjithçka po shkon mirë e bukur, çfarë halli ke? ç’të shqetëson? Po ja, mendoj se ka ardhur koha që disa gjëra t’i shikojmë vërtet ndryshe. Këtu e kam fjalën për një kuptim më të thjeshtë e të qartë të të gjithë problemeve që Ju shtroni e që shtrohen para nesh, qoftë edhe gjatë turit ‘Dialog me Shqipërinë’, pasi, më duhet të them se, ka jo pak mugëtirë. ‘Qytetari që kupton’ - po bëhet përherë e më i rrallë - thonë teoricienët e demokracisë, por a nuk duket se edhe anëtari i thjeshtë i partisë nuk është se e ka edhe kaq të lehtë të kuptojë? Bie fjala, si duhet t’i kuptojmë realisht terma të tillë, opozitë ndryshe; politikë e re; ndarje përfundimtare me politikën e vjetër; program, ekip, lider etj, etj, të cilët vërtet tregojnë për një intensitet në rritje të ngjarjeve politike e të aksionit politik të Partisë Socialiste, por nga ana tjetër ato krijojnë edhe një lloj pështjellimi.

edi rama

Ja, ne themi se po bëjmë opozitë ndryshe, por si, në çfarë kuptimi? Nuk e dimë, por ama, për të qenë të drejtë, megjithëse u bënë tre vjet në opozitë, edhe neve vetë nuk na duket se po bëjmë ndonjë lloj opozite të fortë. Ndoshta kjo ndjesi vjen ngaqë opozita jonë ka qenë ndryshe nga ajo e Partisë Demokratike. Këtu duhet të shtojmë se, si komb, nuk është se kemi ndonjë përvojë të madhe demokratike në të bërit opozitë. Prandaj, mendoj se është i nevojshëm një shpjegim, duke mos e lënë anëtarësinë të nxjerrë vetë konkluzione. Nga sqarimi, anëtarësia, jo vetëm që merr më tepër krahë, por ky do ta nxirrte atë edhe nga një lloj sikleti që ka kur i thonë se “ju nuk po bëni opozitë”.

Por më problematik mbetet kuptimi i togfjalëshit ‘politika e re’, që, për hir të së vërtetës, nuk është shpjeguar dhe qartësuar si për popullin ashtu dhe për anëtarësinë. Po ndodh si në atë shprehjen se ‘çështjet shpesh mbështillen në paketa çështjesh që nuk çmbështillen aq lehtë’. Nuk dimë, ‘politika e re’ është si slogan për të marrë pushtetin apo vërtet duam të ndryshojmë këtë realitet të mbrapshtë. Në se nuk është slogan, se për ne “fitorja politike është instrument e jo qëllim”, atëherë ku qëndron e reja e politikës tonë? Me sa kuptoj unë, duke e thjeshtëzuar pak, politika e re, si arti i qeverisjes, mund të përmblidhet në: çfarë duhet të bëjmë gjatë qeverisjes tonë; si do të realizojmë ato që kemi vendosur t’i bëjmë; dhe në fund, kush janë ata që do të bëjnë të mundur realizimin e politikës sonë të re; ose thënë më ndryshe: cilat janë konceptet dhe idetë e reja; cilat metoda, rrugë e mjete të reja do të përdorim për realizimin e politikës së re; dhe ç’është më e rëndësishmja, cilët janë njerëzit që do ta zbatojnë atë. Në vitin 2005, Berisha përdori komitetin e orientimit të politikave, ‘KOP’, për të mashtruar njerëzit, të vetët, por edhe të tjerë. Çfarë ishte në thelb KOP-i? Ai dha përshtypjen pikërisht të këtyre gjërave që kërkojmë. Ai la përshtypjen se ky grupim kishte ide të reja për të ndryshuar realitetin; se kishte edhe metodat, rrugët e mjetet për të bërë të mundur realizimin e tyre; dhe mbi të gjitha, tregoi njerëzit të cilët do të bënin të mundur realizimin e politikës së Partisë Demokratike, e të mos harrojmë se, si dukë, pati jo pak sukses. Po ne çfarë po bëjmë? A kemi nxjerrë konkluzione çfarë është bërë keq dhe pse në këta 17 vjet?, e që këtu, a i kemi të qarta idetë e konceptet e reja për të bërë politikë ndryshe, apo politikë të re? Ku i kemi programet që themi se po i hartojmë, cilat janë metodat, rrugët e mjetet që do përdorim për realizimin e programit?, cilët janë njerëzit që do ta zbatojnë atë? Mendoj se sqarimi i ‘politikës së re’, do të rriste së tepërmi besimin e anëtarësisë në udhëheqjen e re, e do t’i krijonte asaj siguri.

Edhe për ndarjen me politikën e vjetër nuk është e qartë se si do të ndahemi dhe a mund të ndahemi dot. Kur themi këtë gjë më duket se pretendojmë pak si tepër. Të paktën, për stadin aktual të zhvillimit të shoqërisë sonë, ky pretendim më ngjan si utopik. Në fakt, nuk do të merrem me gjithë politikën në tërësi, me mashtrimet e saj pa fund, majtas e djathtas, por, duke supozuar se ja mbërrimë ditës që politika të ushtrojë vërtet një vullnet të mirë, përsëri kemi vështirësi objektive, që nuk e kemi të lehtë t’i kapërcejmë. Ekziston një kontradiktë, që mua më duket se nuk merret shumë në konsideratë, ajo ndërmjet shtetit demokratik që duam të ndërtojmë dhe mentalitetit tonë të formëzuar në vite. Neve, si popull, përveç shumë mangësive të tjera, na mungon edhe kultura e ligjit. Ne veprojmë sipas urdhrit dhe jo sipas ligjit, gjë që është një pengesë e jashtëzakonshme e që do të na vonojë shumë për arritjen e shtetit ligjor, pa le pastaj të shtetit të së drejtës. Kjo vjen për shkak të edukimit të gjatë që kemi marrë në historinë tonë shtetërore të largët, por sidomos në atë të afërt, në kohën e diktaturës, ku na thuhej se do bërë aksh gjë se e kërkon partia, e jo se e kërkon ligji. Mirëpo, sistemi demokratik që duam të ndërtojmë, detyrimisht, ka çuar në atë që ngrehina jonë shtetërore të ketë formën e një shteti demokratik, që do të thotë se është ndërtuar të funksionojë mbi bazën e ligjit dhe për ligjin, shkurt, kërkon që gjërat të bëhen se i kërkon ligji. Por, siç thamë më lart, njerëzit që përbëjnë këtë ngrehinë shtetërore, këto institucione me formë demokratike, funksionojnë në bazë të mentalitetit të urdhrit e jo të ligjit. Tek ne askush nuk shqetësohet për të bërë diçka që e kërkon ligji dhe se e kërkon ligji, për sa kohë që nuk ia kërkon shefi! Vetëm kur e kërkon shefi, vetëm atëherë ne ndërgjegjësohemi dhe e quajmë me vend se duhet ta kryejmë atë diçka. E në këtë shtjellim kam lënë mënjanë veset e njerëzve, dëshirat e tyre, aftësinë e përkushtimin e tyre dhe kam marrë si të mirëqenë se njerëzit që do të drejtojnë shtetin nesër janë tërësisht të përkushtuar e të aftë dhe vetëm mentaliteti i urdhrit prish punë. Por po t’i marrim në konsideratë edhe gjithë këto, që ekzistojnë rëndom tek ne dhe njerëzit tanë, besoj se kuptohet se sa larg jemi për arritjen e këtij objektivi.

Një paqartësi jo të vogël kemi për trininë program-ekip-lider, me të cilën do të shkojmë në zgjedhje. Siç e thamë më lart, programi qeverisës po hartohet duke marrë parasysh drejtpërdrejt hallet e problemet që ka populli, të majtë e të djathtë, fakt i cili besoj se është dhe një nga risitë e politikës sonë të re. Nisur nga sentenca Juaj: “Transparenca e vendimmarrjes jo thjesht kur merret një vendim, po qyshse nis procesi vendimmarrës, është një kusht i politikës së re”, do të thosha se jemi të vonuar në njohjen e anëtarësisë me programin, në marrjen e mendimit të saj, që, veç të tjerash, do të bënte që anëtarësia ta ndjente veten pjesëmarrëse dhe jo të tëhuajtur në këtë proces. Megjithatë, edhe këtu nuk mund të themi se me kaq kemi mbaruar punë, pasi me te drejtë mund të kërkohet se, cilët janë ata elementë që programin tonë qeverisës e bëjnë të zbatueshëm e nuk mbetet thjesht një truk elektoral. Pra, edhe nëse do të kemi një program qeverisës vërtet të saktë e që do të rrokë gjithë gamën e problemeve, kjo nuk do të thotë se, apriori, ky program do të realizohet po kaq saktë dhe në kohë. Në këtë përfundim dalim nga fakti i thjeshtë, por tashmë i vërtetuar gjatë, se ne kemi vuajtur kryesisht jo se nuk kemi pasur fare programe e ligje, por se nuk i kemi zbatuar programet e ligjet. Më mirë një plan i keq, se pa plan fare, thuhet, por ky aforizëm ka vlerë kur plani realizohet. Vërtet dukem shumë skeptik, por ne si popull kemi vuajtur nga besimi i tepruar e jo nga skepticizmi. Marrja e mendimeve, për zgjidhjen e halleve e problemeve që ka mbarë populli në gjithë vendin e pastaj hartimi i një programi shumë të mirë nuk do të thotë se ne kemi bërë një politikë ndryshe, politikë të re, se ne po ndryshojmë. Sepse deri këtu, gjithnjë e të gjitha partitë e qeveritë kanë pasur një farë lloj programi, që e kanë quajtur shumë të mirë?!, por që pastaj nuk e kanë zbatuar. Problemi i ndryshimit ne radhë të parë qëndron në vullnetin politik për të bërë ndryshimet e duhura me anë të reformave efektive. Dhe vullneti shfaqet nga njerëzit, për pasojë është e një rëndësie të parë pikërisht zgjedhja e njerëzve të cilët do të ushtrojnë vullnetin politik e do të zbatojnë këto reforma e programe. Pra, domosdoshmëri është shqyrtimi dhe përzgjedhja e ekipit qeverisës. Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për ata të nivelit të parë, që doemos janë më të rëndësishmit, por për të tri nivelet kryesore. Natyrisht, këto tri nivele do të dalin nga udhëheqësia e partisë, e cila është një përzierje ‘të vjetër dhe të rinj”, gjë që jo vetëm nuk ma pakëson dyshimin për ata, “të vjetërit”, pra, për ndryshimin e tyre, por ma shton pak dyshimin edhe për “të rinjtë”. Kështu, vetiu lindin pyetjet: a i kemi evidentuar njerëzit që do të realizojnë praktikisht programin tonë qeverisës dhe a kemi kritere për përzgjedhjen e tyre, në mënyrë që të mos thuhet edhe për ne që jemi vazhdues të politikës së vjetër e gënjeshtarë të radhës? A kemi menduar se cila do të jetë administrata e ardhshme?, a e dimë ne se cilët janë njerëzit që kanë pasur sukses e që nuk kanë bërë korrupsionin e famshëm, apo, si gjithnjë, do të favorizohen servilët e dallkaukët e gjithfarë lloj sharlatanësh që dinë të përfitojnë kur vjen puna për të kapur postet e duhura? Dihet se janë militantët që çojnë në fitore partinë, por po aq e vërtetë është se janë pikërisht ata që e rrëzojnë atë nga pushteti. Unë them militantët, por në fakt e kam fjalën për ata që kanë ditur të evidentohen në sytë e ish udhëheqjes dje, dhe në sytë Tuaj sot. Unë besoj se ‘Dialogu me Shqipërinë’ do të bëjë të mundur marrjen e pushtetit dhe vetëm kaq. E sa për më shumë, me kaq sa shoh e kuptoj, ai nuk na siguron aspak se do të ndryshojë politika, se do të kemi politikë të re. Deri më sot, partitë, të majta e të djathta, janë kujdesur posaçërisht për marrjen e pushtetit, ndërsa e kanë ushtruar atë sipas dëshirës, ose, në rastin më të mirë, ashtu si kanë ditur. Prandaj, nuk besoj se do të mund të bëjmë realitet thënien Tuaj “politika e re nuk premton ç’nuk bën dot dhe bën realitet ato që premton”, e për pasojë, nuk besoj se do të rikthehet besimi i popullit te politika.

Po cila është gjendja?, si reagon anëtarësia ndaj këtyre problemeve? Të paktën, për aq sa unë kam kontakt, më duhet të them se anëtarësia jonë, e zhgënjyer thellë nga udhëheqja e mëparshme e partisë, është skeptike dhe jo shumë entuziaste, ky është realiteti. Edhe pse themi se duhet ta harrojmë vitin 2005, prapë mendja na vete tek ata të cilëve u besuam dhe na zhgënjyen, qoftë sepse u treguan makutë e të pandershëm, qoftë sepse nuk e drejtuan vendin ashtu siç duhet. Dhe ky zhgënjim nuk është se po na davaritet. Në fakt, ka një lloj apatie, pasi po shohim pak a shumë të njëjtën mënyrë sjelljeje të disa njerëzve rreth udhëheqjes dhe në udhëheqjen e partisë tonë. Shohim disa nga “të vjetrit” të cilët janë përgjegjës për kalimin tonë në opozitë, që dalin e na shesin moral, e na bëjnë përsëri propagandë. Nga ana tjetër, shohim njerëz “të rinj” që nuk dimë asgjë konkrete rreth tyre. E pastaj, janë ca nga ata, “të vjetër e të rinj”, që i janë ‘qepur’ udhëheqjes së partisë për të përfituar nesër. Njerëzit që rrinë afër udhëheqjes së partisë, përgjithësisht, dinë të bëjnë atë që ata bëjnë, servilizmin. Këta persona, me demagogjinë e tyre, që e kanë kthyer në art, janë përpjekur e përpiqen tërë kohën të na e hedhin të gjithëve, e atyre u ecën edhe sot e kësaj dite. Ka nga ata, që edhe përse largohen me bujë nga partia jonë, kthehen prapë, dhe për habinë e të gjithëve, qëndrojnë eksponentë si më parë. Nga të gjitha këto morali i anëtarësisë nuk mund të themi se është aty ku duhet. Të ndryshosh këtë mentalitet nuk është e lehtë, dhe nuk duhet të harrojmë se zhgënjimi është një gjendje shpirtërore e paparashikueshme e që nuk shlyhet kollaj nga shpirti i njerëzve. Le të marrim në shqyrtim mitingun e fundit, atë me moton “NATO po, Berisha jo”. Në bisedat e anëtarëve gjatë mitingut, rëndom dëgjoje të thoshin: “Goxha miting ëëë!, edhe i pari ishte i mirë, por ky është akoma më i madh, e të mendosh që këtë e kemi bërë vetëm ne si Parti Socialiste!”. Në gëzimin e tyre vihej re fare qartë një lloj druajtje, një lloj pasigurie, le ta themi haptas, atyre nuk po u besohej se ishin vërtet shumë që përkrahnin Partinë Socialiste. Në shprehjet e fytyrës së tyre dukej sikur thuhej: a jemi vërtet kaq shumë bashkë?, a do të bëhet e mundur që të fitojmë përsëri? Kjo tregon, më së paku, mungesën e një frymëzimi, mungesën e një shprese. Tek ne vihet re një ‘ftohtësi’ që nuk favorizon frymën e re për bashkim. Vihet re se nuk kemi një lidhje të fortë ndërmjet udhëheqjes së partisë dhe anëtarësisë. Kjo ka ndikuar në frymën e anëtarësisë, aq sa shumë përtojnë të vinë edhe në mbledhje, pa le më në protesta e mitingje. Ardhja në to u është kthyer në detyrim dhe jo si një akt për të kundërshtuar qeverisjen e dështuar të Partisë Demokratike. Por mefshtësia e tyre favorizohet edhe ngaqë lidhja ndërmjet udhëheqjes dhe bazës së partisë i është lënë shtypit të shkruar dhe medias elektronike, gjë që justifikohet me faktin se jemi parti elektorale. Por anëtari i partisë nuk ka pse të trajtohet njëlloj si simpatizanti i saj, si elektorati, ai ka nevojë t’i shpjegohet për ato që ndodhin. Baza e partisë ka inerci të madhe dhe nuk e ndjek dot udhëheqjen e saj, prandaj është e nevojshme një veprimtari më frekuente, sidomos në dimensionin vertikal, ka nevojë për një ndërveprim më të drejtpërdrejtë të udhëheqjes me anëtarësinë. Sigurisht që propagandë për politikën tonë zhvilloni Ju, grupi parlamentar, eksponentë të ndryshëm të partisë dhe kjo, deri më sot, është e justifikueshme, por, tani e tutje, propaganda duhet bërë në shkallë të gjerë e nga të gjithë, se jemi në vitin elektoral. Prandaj, njohja e bazës me të gjithë konceptet e reja që janë trajtuar vazhdimisht nga udhëheqja e partisë do t’i armatoste ato dhe do t’i frymëzonte për të bërë një punë më efikase me elektoratin e sidomos me ata pa parti.

Ne si parti, në kohën që ishim ne pushtet, vërtet ndërtuam institucionet dhe i dhamë formë shtetit, por ama treguam dhe krijuam bindje të forta se dimë të bëjmë shumë mirë korrupsionin, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në popull. Sartori thotë: “Njeriu nuk është një krijesë fluturake; dhe që kur s’mbahet mend, kushdo që e ka injoruar këtë të vërtetë të thjeshtë na ka shtyrë gjithmonë në buzë të greminës dhe pastaj, pasi kemi këputur qafën, na ka thënë se duhet të kishim ditur të fluturonim”. Me ne ndodhi vërtet kështu. Kjo ndodhi edhe për faktin se ndërveprimi midis bazës dhe udhëheqjes së partisë nuk funksionoi nën moton se lidhja midis të zgjedhurit dhe zgjedhësve presupozon edhe përgjegjësinë edhe dhënien e llogarisë së të parit ndaj të dytëve si edhe të drejtën e të dytëve për të revokuar të parin. Prandaj, cilat janë garancitë që do t’i japim anëtarësisë dhe popullit për të ndryshuar këtë perceptim se udhëheqja e re nuk do të vazhdojë në këtë “traditë”, por do të veprojë ndryshe? Nëna i do fëmijët e vet jo se ata i pëlqejnë, por se janë fëmijët e saj. Por udhëheqja e mëparshme abuzoi shumë me dashurinë e “nënës”. Dihet se bazat morale të çdo sistemi politik të lirë kanë të bëjnë me ndjenjën e detyrës, me kuptimin se të drejtat nënkuptojnë detyrime, por përvoja tregoi se ish-udhëheqja (të vjetërit) pikërisht këtë nuk e kishte bërë moto të sajën. Edhe diçka tjetër. Është e njohur se që të funksionojë vërtet demokracia e brendshme në parti duhet që udhëheqja e partisë të ndjejë nevojën të pyesë veten se çfarë do të mendojë baza e partisë për veprimet që ajo kryen, pra, a do t’i pëlqejnë vallë bazës qëndrimet dhe vendimet që ajo merr. Mua më duket, të paktën deri tani, se udhëheqjes tonë as që i shkon në mendje të pyesë veten për gjëra të tilla, e ky është një ogur i keq, gjë që përkthehet se ajo do të veprojë sipas dëshirave të veta, pa marrë në konsideratë dhe mendimet e atyre që i kanë zgjedhur. Të mos harrojmë se anëtarësia është thellësisht e zhgënjyer me ish udhëheqjen e saj dhe asnjë analizë e mirëfilltë për çka ndodhi nuk u bë, për pasojë më e vogla që mund të themi është që kjo gjë e ka mpakur. Në përfundim, besoj se është me vend të shtrohet pyetja: a nuk duket se kemi nevojë për një dialog me partinë?

Luan BANUSHI

Ing. & Jurist

Kryetar i OS 1709, Njësia Bashkiake 2

1 Koment

  1. N.Ago thotë:

    Shqetësime të natyrshme!

Komento