A mund të ketë marrëzi më të madhe? Si do të vente halli sikur të gjithë njerëzve t’u jepeshin të drejtat? E përfytyroni? Të gjithë do të bëheshin sundimtarë? A mund të merrni me mend që një vend të qeveriset nga qytetarët? Qytetarët janë kuaj që mbrehen në karrocë, dhe kuajt nuk janë karrocieri. Ti zgjidhesh punët e shtetit me anë të votimit, do të thotë të shkosh nga të fryjë era. Mos doni që shteti të vozitë si reja? Çrregullimi nuk mund të sjellë rregullim. Unë për vete dua të dëfrej, nuk dua të qeveris. Votimi me mërzit; dua të kërcej. Lum si ne që kemi një mbret, i cili merret me tërë këto punë! Me të vërtetë, sa shpirtmadh është mbreti, që merr përsipër këtë barrë. Veç kësaj, ai është mësuar me këto gjera dhe di si të veprojë. Kjo është mjeshtëria e tij. Lufta, paqja, ligjet, financat, ç’i duhen popullit këto gjera? Sigurisht, populli lipset të paguajë, sigurisht populli lipset të shërbejë, por kaq mjafton.
Të paguash taksa dhe të vesh ushtar, e paktë është kjo? Ç’duhet tjetër? Ai është mbështetja ushtarake dhe mbështetja financiare. Rol i shkëlqyer. Për të mbretërojnë të tjerët dhe këtë shërbim ai duhet ta paguaje me para.
Populli jep gjakun dhe të hollat e tij për t’u qeverisur. Të qeveriset vetë, sa ide qesharake! Populli ka nevoje për një udhërrëfyes. Duke qene i paditur, populli është i verbër. I verbri mban një qen. Por populli mban një luan, mbretin, i cili pranon të jetë për popullin e vet qen. Ç’mirësi! Por pse është i paditur populli? Sepse kështu duhet. Padituria është ruajtësja e virtytit. Kush s’ka shprese, s’ka as ambicie. I padituri rrethohet nga një errësirë shpëtimtare, e cila, duke mos e lënë të shohë, i zhduk çdo lakmi. Këtej rrjedh padjallëzia. Kush lexon, mendon dhe kush mendon, arsyeton. Por pse të arsyetojë populli? Të mos arsyetojë! Kjo është detyra e tij dhe njëkohësisht lumturia e tij. Këto janë të vërteta të pamohueshme. Në to bazohet shoqëria.