Drama e egos psikologjike

Tanatosi, si energji psikologjike, destruktive përbën një prirje që vjen në thelb nga shtypja, është një kundërveprim, sipas psikanalizës, që vjen si pasojë e nënshtrimit të njeriut të lirë, e fëmijës, e qenies njerëzore që fillimisht nuk njeh veçse parimin e dëshirës, pra theksin libidinal ndaj normave shoqërore, tabuve familjare, simbolikes së socializmit psikologjik.

Fëmijës nisin t’i thonë një sërë shprehjesh ndaluese: “Mos e bëj këtë!”, “Kjo gjë është e ndaluar!”, “Mos e prek!”, “Është turp të sillesh në këtë mënyrë!”, “Kjo gjë nuk të përket ty!”, “Vishu!”, “Mbulohu!”, “Mbyll derën e banjës kur kryhen nevojat fiziologjike!”, Rri urtë!”, “Sillu me edukatë dhe me respekt me më të rriturit!”, Mos ha me duar!”, “Qëndro i pastër!”, etj. etj. Pak e nga pak qenia njerëzore hyn në botën e ndalesave. Gjithçka tani e tutje mund të kryhet veçse brenda një tërësie normash të koduara që i kanë vendosur të tjerët, nuk dihet se kur, nuk dihet se ku. I ngjan tashmë një automobili që mund të rrëshqasë mbi rrugët e qytetit, por vetëm sipas rregullave të kodit rrugor.

Nga njëra anë e kupton se ndalesat që i vihen i plagosin egon e vet, unin e vet, dëshirat e lindura, e pengojnë të ngopet me kënaqësitë që i vijnë instinktivisht nga trupi, nga organet e tij. Nga ana tjetër, edukata që ka marrë, e bën të kuptojë se nderi, etika, dinjiteti moral i kërkojnë të konfirmohet me normat morale të grupit shoqërorë në të cilin jeton. I duhet të sakrifikojë njërin prej të dy elementëve që e bëjnë të ndjehet si i shtrënguar në një darë të fortë psikologjike. Ose duhet të plotësojë dëshirat egoiste të tij dhe për rrjedhojë duhet të armiqësohet me njerëz përreth, ose i duhet të ndihet mirë, në rregull me mjedisin e tij social, por për rrjedhojë, i duhet të heqë dorë nga parimi i qejfit, i dëshirës.

Ndrydhja nga normat, parimi i realitetit dhe i detyrës, e bëjnë që t’i shtypen instinktet, pra prirjet që i burojnë nga parimi i dëshirës. Ato i mban të fshehura atë poshtë në thellësitë e ndërgjegjes, në skutat e fshehta të shpirtit.

Shtypja dhe vuajtja psikologjike lind tanatosin që drejtohet kryesisht ndaj të tjerëve. Për dy arsye kryesore. Arsyeja e parë lidhet me atë se individi bën përgjegjës të tjerët për frustacionin e dëshirave të tij. Të gjithë. Të gjithë ata që nuk e lejojnë të bëjë atë karrierë që dëshiron. Të tjerët që janë atypari dhe që e kundërshtojnë, nuk e lenë që të ecin vetëm idetë dhe mendimet e veta, qe e konkurrojnë, e rivalizojnë, e rrezikojnë te ketë sukses në jetë, nuk e lejojnë të marrë atë që do, të zotëroje atë që dëshiron. Të tjerët që tallen me të kur ai dëshiron ta quajë veten shkrimtar, shkencëtar, moralist, sportist a gjithçka tjetër. Nga ana tjetër i urren të tjerët sepse ata ose ato, që ai dëshiron t’i ketë në pronësi të vetes, t’i përdorë për të shuar urinë e tij psikologjike, erosin e tij, këta, pra, nuk janë gjithmonë në dispozicion të tij. Si rregull janë të lirë dhe as nuk ia varin. Janë larg, janë të mbrojtur, janë të lirë, shohin larg, vështrojnë te të tjerë, kërkojnë qënie të tjera njerëzore. Ata që duhen, përderisa nuk zotërohen, e mira është të urrehen, të bëhen viktima të energjisë agresive, shkatërruese, e instinktit të vdekjes.

…………………………………………………………………………………………………………………………………………..

Edhe kur i mbron përsëri i urren sepse kënaq libidonë tënde idiote, të verbër, të pazbutur, duke i trajtuar si inferiorë, që kanë nevojë që ti t’u dalësh zot ashtu lehtë.

Ti shpërndan mirësi, paqe, shërbime, sepse i urren të tjerët, je i dobët, nuk ua përplas dot në fytyrë urrejtjen tënde, hakmarrjen tënde, por si i dobët, i përbuz, i fyen, duke iu bërë të mira, të cilat nuk mungon t’i vësh në dukje. Të mirat, ah!, ato nuk lë rast pa i përmendur ashtu shkarazi. Bëja të njohur tjetrit të mirën që i ke bërë. Fyeje, pra, tregoji se e ke poshtëruar, i ke botuar vargjet, i ke bërë recensën, i ke futur në punë tezen, i ke shpëtuar jetën.

Të mirën e tregon, prapësitë i fsheh.

Ku do të shkojë atëherë energjia shkatërruese?

Ajo gjen dalje si ata përrenjtë e fryrë nga shirat e pranverës duke u drejtuar përkrah sendeve. Tanatosi si frike nga njerëzit anohet dhe qëllon sendet. Urren sendet, shkatërron objektet materiale, qëllon mjetet, prish ambientin. Dhe kështu bie përsëri për pak kohë në qetësi. Vetëm për pak kohë.

Përse nuk e hedh dot paketën bosh të cigareve pa e bërë më parë shuk e spërdredhur si hapëse shishesh?

Përse kur e mbaron një cigare e shtyp fundin e saj mbi tavllën prej teneqeje sikur t’i shtypje kokën ndonjë liliputi?

Përse të ndodh që këput kopsën e këmishës kur nis ta zhveshësh ashtu me urgjencë?

Përse e derdh si pa dashje gotën e ujit mbi tavolinë?

Sendi kthehet në një fetish.

Ai zëvendëson njeriun që duhet urryer. Sendi e shpëton njeriun.

Marre nga libri “Rrota e mundimit” e Artan Fuges

3 Komente

  1. majla thotë:

    Mire se erdhe dhe urime per blogun!
    I hape pune vetes :P

    Fundjave te kendshme

  2. eni thotë:

    miresevken Hurma farezeza..me shkrive me emrin!
    e kam lexuar kete liber dhe mund te them se ky eshte nje nga kapitujt qe me ka lene me shume mbresa dhe me eshte dukur me i vlefshem!

  3. hurma thotë:

    Flm per mireseardhjen Eni ;).
    Edhe mua ky kapitull me ka pelqyer shume dhe ndaj e solla. Eshte nje liber ne te cilin kam bere shume nenvizime te cilat i lexoj here pas here.

Komento